Nevil Dede, ish-qendërmbrojtësi i Tiranës, është pjesë e panelit të emisionit “Pressing” në ABC News. Trajneri i Shqipërisë U19 komentoi ngjarjet e ndodhura në Superiore këtë javë dhe jo vetëm. Fillimisht në fokus ishte Kukësi dhe Partizani.
“Kukësi nuk e ka udhëhequr në asnjë moment. Në momentin e parë që e mori u shkëput me pesë pikë. Ekipet e tjera nuk e kanë mbajtur presionin. Kukësi ka treguar se mund ta mbajë. Kush e fiton mbi tre ndeshje rresht, është pretendenti kryesor. Kukësi ka bërë katër rresht. E dimë të gjithë që janë shumë të fortë, ka një si Abazaj që e kemi këtu, si dhe të tjerë”.
“Në momentin që është i pari dhe mundohet të thellojë diferencën, tregon se ka organikë të mirë. Janë katër lojtarë për tre pozicione që janë përpara. Kur janë në top formë, janë të pandalshëm. Nuk e di sa opsione kanë nëse mungon një prej lojtarëve të sulmit. Kanë dy lojtarë “outsider” në formacion, Mustën dhe portierin që kanë ardhur si alternativa.
Janë skuadra e momentit, siç ishte Partizani më parë. Ata kanë organikë të fortë dhe duhen parë si rival për titull. “Demat” kanë nga dy lojtarë për çdo pozicion. Partizani ka gabuar, nuk kanë pasur stabilitet në vendosje dhe në emra. Sapo u stabilizua me mbrojtjen me katër, doli i pari. Më pas kaloi me tre dhe humbi. Çinari ishte më i miri dhe u la në stol. Këtë nuk e kuptoj”.
“Në verë goditi disa lojtarë të skuadrës. Sulmuesit e marrë nuk i aktivizoi shumë, kurse Boldor luajti. Pa i parë në fushë lojtarët e Partizanit, nuk mund të them çfarë lojtarësh janë. Trajneri ka punuar me dy standarde. Marrin dy sulmues dhe nuk i fusin. U morën ndoshta edhe për të rinovuar ekipin”, u shpreh Dede. /abcnews.al

