Larry Summers, ish-president i Universitetit Harvard dhe ish-sekretar i Thesarit të SHBA-së, ka njoftuar se do të tërhiqet nga angazhimet publike pasi u publikuan e-mailet e tij me Jeffrey Epstein. Ai u shpreh se ndihet “thellësisht i turpëruar” dhe merr përgjegjësi për komunikimin me Epstein pas dënimit të këtij të fundit.
E-mailet e publikuara nga Kongresi tregojnë se Summers ka pasur kontakte me Epstein deri një ditë para arrestimit të financierit në vitin 2019 dhe se ata janë takuar shpesh për darka. Publikimi i plotë i dosjeve për Epstein pritet të hidhet në votim në Dhomën e Përfaqësuesve.
Departamenti i Drejtësisë ka hapur hetime për lidhjet e Epstein me figura të Partisë Demokratike, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton, ndërsa Donald Trump ka bërë thirrje për hetime edhe ndaj Summers dhe individëve të tjerë. Summers ka humbur pozicionin e tij si bashkëpunëtor në Qendrën për Progres Amerikan, por ende figuron si anëtar i bordit të OpenAI.

