Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka dhënë deklarata të ashpra mbi ngjarjen e 21 janarit 2011, duke e cilësuar atë një vrasje shtetërore dhe një nga momentet më të errëta për institucionet e sigurisë.
Meçe theksoi se zbardhja e plotë e komunikimeve dhe urdhrave të dhënë atë ditë do të ishte kyçe për identifikimin e përgjegjësisë.
“Mjafton të zbardhësh të gjithë bisedën që janë bërë aty. Mjafton të dalësh se cilat janë udhëzimet që ka dhënë Berisha”, u shpreh ai.
Ai tha se forcat e Gardës së Republikës kanë qëlluar në mënyrë të rrezikshme dhe në shkelje të çdo protokolli.
“Të gjithë i ke të vrarë në kokë dhe në zemër. Goditja, në këndvështrimin tim, ka qenë selektive. Ka qenë shumë i limituar rrethi i personave që kanë përdorur këtë armë, është e kapshme një gjë e tillë”, argumentoi analisti.
Meçe nënvizoi se vepra penale në këtë ngjarje nuk kufizohet vetëm te vrasjet e Aleks Nikës dhe Ziver Veizit, por përfshin edhe dy viktimat e tjera, duke e cilësuar krimin si “vrasje në rrethana cilësuese, të dy e më tepër personave”.
Përveç vrasjes, sipas tij, janë të pranishme elementë të tjerë të rëndë penalë, si shpërdorim detyre dhe fshehje e provave.
Ai theksoi se prova kyçe, pamjet filmike të serverëve të Kryeministrisë, janë zhdukur natën pas protestës.
“Në orën 01:00 të natës janë zhdukur provat, janë zhdukur serverat. Zhdukja e serverëve është gjëja më e tmerrshme që mund të ndodhte”, deklaroi Meçe.

