Reshje me intensitet të lartë shoqëruar me shtrëngata parashikohet të përfshijnë vendin gjatë kësaj jave.
Shumë intensive sipas Institutit të Gjeoshkencave reshjet do të jenë në qarkun e Shkodrës, por edhe në zona të caktuara në qarqet e Kukësit, Dibrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Në qarqet e tjera meteorologët parashikojnë reshje mesatare.Instituti i Gjeoshkencave thotë se në tetë qarqet e vendit mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Por intensiteti i lartë i reshjeve parashikohet të sjellë rritje të prurjeve edhe në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin, Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë.Ndërkohë në zonat urbane të Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Vlorës dhe Gjirokastrës mund të shfaqen probleme me përmbytjet, por kjo në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Ndërkohë problematik parashikohet të jetë parametri i erës, e cila pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet.
Në Durrës për këtë arsye autoriteti portual ka pezulluar për rreth një javë sektorin e peshkimit. Ndërsa në Vlorë për tre ditë ka ndaluar daljen në det të mjeteve të vogla lundruese.
Sa i përket temperaturave të ajrit meteorologët parashikojnë rënie të menjëhershme të tyre prej ditës së martë.
Moti i keq godet Shqipërinë/ Priten reshje intensive, rrezik për përmbytje në disa zona
schedule15:45 - 17 Nëntor, 2025
schedule 15:45 - 17 Nëntor, 2025
