CAKRAN- Në qendër të njërës prej zonave me të populluara rurale të Fierit dhe Mallakastrës, dyqani i vogël i Durim Musarajt është gjithmonë me klientë. Është i vetmi këpucar në të gjithë zonën e Cakranit dhe Mallakastrës, ndaj është I detyruar të punojë pa ndërprerje.
“Punoj deri në gjashtë orë në ditë.. arrij të fitoj deri në 10 mijë lekë në ditë…”
Durimi është i vetmi këpucar për një zonë me popullsi prej 40 mijë banorësh në Cakran dhe Mallakastër.
“Kjo është një zonë shumë e madhe. Kam klientë që vijnë edhe nga Mallakastra”
Mes dy epokave, përpara dhe pas komunizmit, zanati i këpucarit nuk ka ndryshuar vetëm veglat e punës, ndërsa njerëzit, të pasur ose jo, i riparojnë këpucët të paktën një herë përpara se ato të bëhen të papërdorshme.
“Të gjithë i sjellin këpucët për riparim.. mirëmbajtje… edhe të pasurit”, theksoi ai.
Me një kurs profesional në rininë e tij, 40 vjet punë si këpucar, e kanë shndërruar në mjeshtër të riparimit, por edhe krijimit të këpucëve nga e para.
Bëra shkollën e mesme, pastaj kursin një vjeçar dhe pastaj fillova punë këtu. Më përpara kemi bërë edhe këpucë me porosi”, shtoi ai.
Një shërbim që u duhet të gjithëve, por që askush nuk e do si profesion. Durim Musaraj është i fundit në këtë zonë që ushtron zanatin e këpucarit.
Nuk ka tjetër ne zonë.. vetëm unë jam. Po mundohem të bind djalin ta vazhdojë, por nuk e dëshiron këtë zanat”, pohoi ai.
Pjesa më e madhe e këpucarëve në Fier janë në moshë pensioni, një tregues ky se zanati i vjetër po zhduket gradualisht/abcnews.al

