Sot është publikuar renditja e kombëtareve nga FIFA dhe në krye është përsëri Belgjika. Ekipi i Martinez i fitoi të dhjetë ndeshjet kualifikuese në eliminatoret e Euro 2020 dhe bashkë me Italinë ishin dy skuadrat e para që u kualifikuan. “Djajtë e Kuq” u shpallën për të dytin vit radhazi kombëtarja më e mirë në botë, ndërsa në vend të dytë renditet Franca.
Rritje për Anglinë, që zhvilloi një fazë eliminatoresh fantastike dhe shënoi një rekord golash. “Tre Luanët” renditën në vend të katërt, poshtë Brazilit dhe një pozicion sipër Uruguait të Tabarez. Përmirësim edhe për Italinë. Ekipi i Mancinit i fitoi të 10-të ndeshjet në fazën eliminatore të Euro 2020 dhe qëndron në vend të 13-të, pesë pozicione sipër.
Italia është skuadra europiane që është rritur më shumë në renditjen e FIFA-s me +68 pikë nga viti i kaluar, duke lënë pas Kosovën. Viti 2019 ishte fantastik për Dardanët, teksa shpresohet që ai i ardhshmi të jetë i paharrueshëm dhe Kosova të kualifikohet në Europian. Ekipi i Challandes është ngjitur nga vendi i 131-të në vendin e 115-të dhe ka fituar 61 pikë më shumë sivjet.
Shqipëria ka humbur 6 pozicione kundrejt vitit të kaluar dhe tani renditet në vend të 66-të. Rritje të madhe edhe për Katarin, vendin organizator të Botërorit 2022, që fitoi Kupën e Azisë, Japoninë dhe Algjerinë, fituese të Kupës së Afrikës (nga vendi i 67-të në të 35-in). /abcnews.al