Dhjetëra persona me dosje të rënda kriminale – të dënuar për vrasje, trafik droge, dhunë dhe kërcënime – kanë marrë pjesë në protesta në mbështetje të pushtetit të Aleksander Vuçiç dhe partisë së tij, shpeshherë duke sulmuar qytetarë dhe studentë që protestonin kundër regjimit.
Ky është konkluzioni i portalit investigative serb KRIK.
Sipas të dhënave që media ka mbledhur, shumë nga këta persona janë parë në kampin e quajtur “Cacilend” – ngritur përpara Presidencës në Beograd – që është shndërruar në qendër të mbështetësve të presidentit serb.
Në krye të listës që zbulon KRIK është Vladimir Vuçetiç, një nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas KRIK, Vuçetiç është parë më 28 qershor 2025 në kampin “Cacilend”, në ditën e protestës studentore të Vidovdanit. Ndaj tij ekziston urdhër arresti ndërkombëtar për terrorizëm lëshuar përmes Interpolit, por ai lëviz lirisht në Beograd nën mbrojtjen e pushtetit.
Në të njëjtin kamp është parë edhe Petar Paniq, i njohur si “Pana”, një emër i vjetër i botës së krimit, Dijana Hrkaloviç, ish-sekretare shtetërore në Ministrinë e Brendshme, krimineli boshnjak Darko Elez, apo Djorgje Preliçin, ish-lideri i grupit huligan “Alkatraz”, i dënuar për vrasjen brutale të tifozit francez Brice Taton në vitin 2009.
Ai është parë në “Cacilend” në gusht 2025, ku deklaroi se ndodhej “për arsye patriotike” dhe se “nuk do të lejonte që Vuçiç të bie në duart e tradhtarëve”.
Protestat kundër Vuçiç janë mbajtur pa ndalim që prej 1 nëntorit të vitit të kaluar ku mbëtën të vrarë 16 persona në tragjedinë e Novi Sad për shkak të rrëzimit të strehës së betonit. Kërkesat e protestuesve janë venia e personave pergjegjes përpara drejtësisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në vend. / abcnews.al /

