Është zhvilluar ditën e sotme konferenca shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë.
Akademikë, ekonomistë dhe ekspertë nga Shqipëria e të huaj ndajnë analiza, studime e vizione për sfidat e ekonomisë moderne dhe të ardhmen e sistemit bankar shqiptar. Në konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, gjatë fjalës së tij tha se Shqipërisë i duhet të bazojë më shumë modelin e zhvillimit te rritja e produktivitetit dhe avantazheve të saj krahasuese.
Gjithashtu ai renditi edhe disa nga sfidat, që sipas tij kanë të bëjnë me rritjen e tensioneve gjeopolitike, inovacioni i shpejtë financiar, si edhe sfida tjetër që ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë
“Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rritja e barrierave tregtare janë një realitet i ri ekonomik. Sfida e dytë është inovacioni i shpejtë financiar. Gjatë dekadës së fundit ne jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar i cili ka potencialin të transformojë këtë industri. Dixhitalizimi i sistemit të pagesave dhe përdorimi i teknologjisë ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Sfida e tretë ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë. Si një vend me të ardhura të mesme Shqipëria është e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Shqipërisë i duhet të bazojë më shumë modelin e zhvillimit te rritja e produktivitetit dhe avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfide e fundit bëhet edhe me komplekse në prani të trendëve të pafavorshme demokratike që vendosin një premtim të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar”, tha Sejko.

