Një humbje e madhe për botën e muzikës italiane, dirigjenti i njohur Peppe Vessicchio ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare. Një artist i dashur, kompozitor, dirigjent dhe figurë televizive e njohur, ai u shua këtë pasdite në spitalin San Camillo të Romës, ku ishte shtruar për pneumoni intersticiale.
“Rai” shkruan se familja e tij ka kërkuar respektim të privatësisë dhe ceremonitë mortore do të zhvillohen në formë tërësisht private.
I lindur në Napoli më 17 mars 1956, Vessicchio ishte një nga dirigjentët më të dashur dhe të njohur në skenën muzikore italiane, i vlerësuar për ndjeshmërinë e tij artistike dhe aftësinë për të ndërthurur traditën me risinë. Ai u bë një simbol i Festivalit të Sanremos, ku fitoi katër herë si dirigjent: në vitin 2000 me Avion Travel (“Sentimento”), në vitin 2003 me Alexia (“Per dire di no”), në vitin 2010 me Valerio Scanu (“Per tutte le volte che”) dhe në vitin 2011 me Roberto Vecchioni (“Chiamami ancora amore”).
Gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës italiane dhe ndërkombëtare, si Gino Paoli, Roberto Vecchioni, Zucchero dhe Ornella Vanoni. Ai ka dirigjuar edhe në Kremlin në një homazh për John Lennon, ka udhëhequr projektin “Rockin’1000”, grupin më të madh rock në botë dhe për vite me radhë ka qenë drejtues muzikor dhe mësues në shfaqjen e talenteve “Amici” të Maria De Filippi.
Në mars të vitit 2026, pritej të niste një turne teatror me këngëtarin Ron, me titull “Ecco che incontro l’anima”, si bashkëpunimi i tyre i parë live.
“Kemi humbur Beppe Vessicchion, dirigjentin e famshëm dhe fytyrën e njohur të televizionit italian. Një artist me kulturë të thellë muzikore që dha shumë dhe që do të na mungojë. ‘Dirigjon orkestrën maestro Beppe Vessicchio’ nuk ishte thjesht një frazë, ishte shtëpi, ishte Itali. Udhëtim të mbarë”, shkroi kryeministrja Giorgia Meloni në rrjetet sociale.

