Hysen Memolla e ka mbyllur aventurën e tij në Finlandë dhe është transferuar në Hungari, ku ka firmosur me DVTK. Aty ai do të jetë shok skuadre me Florent Hasanin, ndërkohë që në fillim të javës ka kaluar me sukses edhe testet mjekësore. Së fundmi mbrojtësi i majtë ka nënshkruar dhe ka thënë fjalët e para pas kësaj lëvizjeje.
“Jam shumë i entuziazmuar që do të jem pjesë e familjes DVTK. Premtoj se do të ndihmoj me sa mundem klubin, që të arrijë objektivat. Pashë ndeshjen e së dielës nga tribuna dhe ky stadium është i mrekullueshëm, sikurse edhe tifozët janë fantastikë. Shpresoj të kemi shumë momente të lumtura së bashku”, është shprehur Memolla për faqen zyrtare të klubit.
Hungarezët i gëzohen këtij transferimi, teksa drejtori sportiv, Benczes Miklos, ka deklaruar: “Jam shumë i kënaqur që kemi nënshkruar me Hysen Memollën, pasi kemi qenë në gjendje të shohim tek ai një mbrojtës të majtë shumë agresiv që mund të ndihmojë edhe sulmin nga krahu. Ai gjithashtu ka edhe pasaportë italiane dhe ka qenë pjesë e grumbullimeve me kombëtaren e Shqipërisë.
Para se të shikojmë paraqitjet e tij përmes videove, kemi mbledhur informacione rreth tij edhe nga Hajduk Split, ku kanë luajtur Mirko Ivanovski dhe Marko Futacs. Të gjithë kanë konfirmuar informacionin që ne kemi marrë përmes videove”. /abcnews.al


