Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi se është arrestuar i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës.
Autori kishte qenë në arrati pas vrasjes së dyfishtë në Malishevë më 6 nëntor.
Autoritetet njoftuan se ndaj tij do të paraqesin kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha një ditë më parë se dorasi i dyshuar dhe viktimat kishin raporte familjare. Mediat raportuan se ai ishte dhëndri i viktimave.
Sa i përket motivit të vrasjes së dyfishtë, prokurori Gashi tha se “nuk e dimë saktësisht”.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmuan se autori kishte pasur precedentë penalë. Ai ishte dërguar në paraburgim në prill të këtij viti dhe ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për “dhunë në familje” dhe “kanosje”.
Policia e Kosovës tha se i dyshuari i kishte qëlluar dy vëllezërit me armë zjarri pak para mesditës të së enjtes. Viktimat ishin dërguar më pas në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin e afërt, Kijevë, ku mjekët konstatuan vdekjen e tyre.

