Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zbulim shkencor historik / Koloni gjigande merimangash në Liqenin e Neuronit

schedule09:17 - 4 Nëntor, 2025

schedule 09:17 - 4 Nëntor, 2025

Në studion e “ABC të Mëngjesit”, Prof. Asoc. Dr. Blerina Vrenozi, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe zoologe–ekologe, ndau sot me publikun detaje nga një zbulim i jashtëzakonshëm që po tërheq vëmendjen e botës shkencore: një koloni gjigande merimangash në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, në një zonë të njohur si Liqeni i Neuronit.

Një koloni e pazakontë prej 69 mijë merimangash

Sipas Prof. Vrenozit, në një shpellë termale me përmbajtje squfuri janë zbuluar rreth 69.000 individë të llojit Tegenaria domestica, merimanga e zakonshme që mund të gjendet edhe në shtëpitë tona. Por ndryshe nga zakonet e saj vetmitare, në këtë zonë ajo është organizuar në një strukturë gjigande rrjetash të ndërlidhura, që krijojnë një masë të madhe sfungjerore mbi një sipërfaqe prej rreth 100 metrash katrorë.

“Na habiti mënyra si e kishin ndërtuar rrjetën, shumë afër njëra-tjetrës, pa asnjë shenjë agresiviteti apo kanibalizmi. Përkundrazi, sjellja e tyre ishte jashtëzakonisht e qetë, ” u shpreh Prof. Vrenozi.

Merimangat jetojnë në një ambient të mbushur me avuj squfuri dhe ujëra termale, ku përveç tyre janë gjetur edhe 42.000 individë të një lloji tjetër merimange, Prinerigone vagans.

Këto dy specie mbulojnë së bashku të gjithë sipërfaqen e shpellës, duke bashkëjetuar në mënyrë harmonike me rreth 2.4 milionë miza, të cilat përbëjnë burimin kryesor të ushqimit për koloninë.

“Ky mjedis është si një skenë filmi fantastiko-shkencor,”  tregoi Vrenozi. “Studiuesit çekë, që ishin të parët që zbuluan shpellën, u habitën kur panë rrjetën gjigande dhe e cilësuan si një nga rastet më interesante të bashkëjetesës së jetës në kushte ekstreme në Evropë.”

Sipas Prof. Vrenozit, ky zbulim i jashtëzakonshëm tregon se Ballkani fsheh ende ekosisteme të pazbuluara, të cilat mund të ndihmojnë shkencën të kuptojë më mirë evolucionin dhe përshtatjen e jetës në kushte të vështira./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!