Tensioni ishte i madh, a thua po luhej një finale.
Ndeshja e Superligës mes Flamurtarit dhe Elbasanit në Vlorë pati përplasje të shumta të dy grupeve të tifozëve, me sharje në distancë, me hedhje sendesh të forta në fushë, e me dëmtim të ulëseve në tribuna.
Në stadiumin “Flamurtari” pati mjaft spektatorë, ndër të cilët edhe familjarë, por dhuna mori qendrën e vëmendjes.
Dy ekipet luanin për qëllime të kundërta, Elbasani për kreun dhe vlonjatët për t’iu larguar fundit të renditjes, dhe miqtë ia dolën 1-0 me golin e shënuar nga File.
Pati protesta nga vendasit, ndërsa tifozët tentuan të përplaseshin pas daljes nga stadiumi.
Forca të shumta policie, edhe me skafandra e mburoja, arritën të mos lejonin konflikte fizike, ndërsa ofendimet dhe sharjet vazhduan gjatë.
Për fat nuk pati të lënduar, pavarësisht gurëve apo sendeve të tjera të forta që grupet rivale lëshuan ndaj njëri-tjetrit.
Situata u qetësua vetëm kur përkrahësit elbasanas u larguan për në qytetin e tyre, ashtu si edhe skuadra e tyre që tani ka 20 pikë dhe pretendon këtë sezon për të fituar titullin në Superligë.
Flamurtari, nga ana tjetër, është në vendin e fundit me vetëm 5 pikë, dhe rrezikon të bjerë nga kategoria.


