Tetori ka regjistruar një ngecje të prodhimit në Eurozonë, duke sinjalizuar shqetësime për ekonominë. Referuar indeksit të menaxherëve të blerjeve të Prodhimit, i përpiluar nga agjencia standard and Poors, ky tregues arriti në 50 pikë muajin e kaluar, një rritje minimale nga 49.8 qe ishte një muaj më parë.
Shkak është bërë kërkesa e dobët, pasi porositë për eksportet shënuan rënie për të katërtin muaj radhazi. Një tjetër indikator shqetësues lidhet me tregun e punës pasi ulja e numrit të të punësuarve u përshpejtua këtë periudhë.
Në përpjekje për të ulur kostot kompanitë kanë reduktuar stafet e tyre kohët e fundit. kostot e lëndëve të para mbetën të pandryshuara në tetor, por çmimet për konsumatorët panë një rritje për herë të parë që nga prilli.
Besimi i sipërmarrjeve europiane është ulur edhe për vitin në vijim, duke rënë kështu nën mesataren afatgjatë pikërisht për shkak të dobësimit të kërkesës dhe pasigurisë ekonomike.
Por, pavarësisht kësaj, Banka Europiane mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit javën e kaluar, për shkak se inflacioni në eurozonë ka mbetur në nivele të ulëta. Perspektiva mbetet e paqartë edhe nga ndikimi që do të kenë tarifat e presidentit amerikan Donald Trump në ekonominë e Eurozonës, edhe pse Brukseli dhe Uashingtoni kanë arritur tashmë një marrëveshje për të zbutur masën e tarifave tregtare.

