Anëtarët e Prokurorisë së Posacme janë betuar sot në Presidencë. Ceremonia e betimit ka filluar në orën 9.30.
Sipas raportimit të gazetares së ABC News Erneta Shevroja, gjatë betimit të anëtarëve të Prokurorisë së Posacme, media nuk ishte e pranishme.
Opinioni publik ka një pritshmëri të madhe nga kjo strukturë pasi do të bëjë të mundur hetimin e zyrtarëve të lartë.
8 janë Anëtarët e Prokurorisë së Posacme të cilët u betuan sot. Ata janë zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ndërkohë ditën e djeshme 3 kandidatët për drejtimin e Prokurorisë së posacme antikorrupsion Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Arben Kraja kanë paraqitur përpara KLP platformat e tyre për drejtimin e SPAK.
Po sot ka nisur nga puna dhe Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ndërkohë Presidenca ka dalë me njoftimin zyrtar për ceremoninë e betimit:
Njoftimi i Presidencës:
“Anëtarët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar betohen para Presidentit të Republikës
19 nëntor 2019
Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së”./abcnews.al