Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Përcjellje madhështore për Fatos Nanon/ “Politikani popullor që urrente populizmin”

schedule08:36 - 2 Nëntor, 2025

schedule 08:36 - 2 Nëntor, 2025

Shqipëria i dha lamtumirën e fundit ish kryeministrit Fatos Nano, mbase më e madhja shtetërore e këtyre 30-viteve te tranzicionit politik.

Mijëra qytetarë, politikanë brenda dhe jashtë trojeve shqipfolëse, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupi diplomatik apo bashkëpunëtorë, zhvilluan homazhe në Pallatin e Kongreseve, pikërisht aty ku nisi edhe karriera politike e historike Fatos Nanos, figurës qendrore të tranzicionit dhe liderit që transformoi dhe modernizoi të majtën shqiptare.

Mes lotëve dhe dhimbjes, bashkëshortja, Xhoana Nano, ndau detaje nga njohja me liderin historik, nga vizioni i tij për modernizimin dhe europianizimin e politikës shqiptare, që sot duket me pranë se kurrë.

“Fatosi ishte i vërtetë, nuk dinte e nuk donte të shtirje. Nuk merrte poza, e urrente populizmin. Ai besonte me shpirt në vlerat evropiane. Fatosi ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Nuk ishte njeri i zakonshëm, nuk bërë asnjë përgjysmë, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Kishte zemër të madhe që dinte të faltë, të mirëkuptonte dhe të donte me gjithë qenien e tij”, tha bashkëshortja Xhoana Nano.

Ndërsa Sokol Nano, djali i ish kryeministrit Nano, tha se babai I tij do të kujtohet ndër breza si një burrë i madh shteti, që dinte të ndërtonte vetëm ura dhe jo mure.

“Sot Fatos Nano, babai, bashkëshorti, miku, lideri ikën nga kjo botë fizikisht. Im atë ishte i parë që më foli për demokracinë. I pari që nuk e kishte frikë humbjen sepse ishte një kalorës. Ai më mësoi shumë çka, garën e vërtetë, udhëheqjen si përgjegjësi, ringritje. Ishte njeri shumë dimensione, më foli për gjithçka, Shqipërinë europiane dhe lirinë, sepse ai e donte demokracinë si frymë dhe jo si slogan.  Ai besonte se politika shkonte përtej luftës personale”, u shpreh i biri, Sokol Nano.

Fatos Nano ishte mbase lideri i vetëm që e drejtoi partinë nga burgu, duke u rikthyer edhe me i fortë në krye të shtetit, në një nga momentet më të vështira, pikërisht gjatë revoltave të 1997. Dhe këtë moment e risolli në kujdesi pasardhësi I tij në parti, Edi Rama, bashkë edhe me një mesazh për ata që dikur e burgosën padrejtësisht.

“Sa të paskan dashur e të paskan admiruar mor burr i dheut! Po edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë në kurriz pa të hedhur! Mezi ç’paskeshin pritur të ta tregonin dashurinë dhe adhurimin sapo ta merrnin vesh që nuk do ti hapësh më sytë.

More deri te ata që të kallën në burg duke të akuzuar si vjedhës dhe që erdhën të të vrasin në zyrë duke të mallkuar si vrasës, e që t’i lëshuan mbi fytyrë për vite e vite të tëra me radhë, tërë të zezat e gjuhës shqipe, veç ta shije si t’i kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre”, tha kryeministri Edi Rama.

Pas ceremonisë së nderimit, nën tingujt e Did-it my Way të Frank Sinatra, armorti me trupin e Fatos Nanos, u vendos në shtratin e një topi, nderimi më i madh ky që i bëhet personaliteteve më të larta shtetërore.

Familjarë, personalitete të larta shtetërorë, dhe qytetarë e përcollën me duartrokitje dhe trëndafila të bardhë, në parakalimin e fundit, para zyrës ku qëndroi tre here si kryeministër, duke u bërë i pari politikan që jep dorëheqjen pas zgjedhjeve. Dhe duke lënë pas një parti socialiste, që sot është shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij dhe të gjithë shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!