Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka votuar për fajësimin e Presidentit Donald Trump procedurë që në anglisht njihet si “impeachment”.
Donald Trump është tashmë presidenti i tretë amerikan në histori që përballet me një proces të tillë, që mund të çojë në shkarkim.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, votoi për dy akuza – që Presidenti abuzoi pushtetin e tij dhe se ai kishte penguar Kongresin.
Akuza e parë kaloi me 230 vota pro dhe 197 kundër, ndërsa e dyta 229-198.
Gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Sakaq, dërgimi i çështjes në Senat pritet të bëhet muajin tjetër.
Ndërsa po zhvillohej votimi, në ato momente Presidenti Trump mbante fjalën e tij në një miting.
Ai i tha një turme brohoritëse në Michigan: “Ndërsa ne po punojmë dhe po luftojmë për Michigan, e majta radikale në Kongres konsumohet me zili, urrejtje dhe tërbim, ju e shihni se çfarë po ndodh”.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë duke thënë se presidenti ishte “i bindur se ai do të shfajësohet plotësisht” në një gjykim në Senat.
Procedurat me synim shkarkimin e presidentit kanë nisur në shtator nga demokratët, kur është zbuluar se Trump i ka kërkuar homologut ukrainas ta hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden.
Biden mund të jetë kundërshtar i Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020./abcnews.al