Është padyshim lojtari më i rëndësishëm. Aleksandar Mitroviç mban shiritin e kapitenit tek Serbia, mban rekordin e golave të shënuar me fanelën e kombëtares dhe shpejt pritet të jetë rekordmeni për numrin e ndeshjeve.
Një futbollist i tillë, që mbushi 100 paraqitje për Serbinë ndaj Andorës në qershor, e tani numëron 104, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit të përkohshëm Zoran Mirkoviç, ose ndoshta të trajnerit të ri që pritet të ulet në stol, Paunoviç, për duelin ndaj Anglisë.
Klubi nga Katari, Al Rajan, ku aktualisht po luan Mitroviç, njofton se sulmuesi ka pësuar dëmtim dhe se do t’i duhet një kohë e caktuar për riaftësim.
Sado shpejt që ta kalojë dëmtimin, sërish 31-vjeçari është thuajse e pamundur që t’i përgjigjet grumbullimit për sfidën e eliminatoreve të Kupës së Botës që do të luhet në 13 nëntor në “Uembli” të Londrës.
Një goditje e rëndë për rivalin e Shqipërisë, të cilit ndoshta i bën punë vetëm fitorja në fushën e Anglisë për të synuar vendin e dytë në grup, pra kualifikimin për në plej ofin e Kupës së Botës.
Kombëtarja shqiptare mban vendin e dytë në grupi me 11 pikë pas 6 ndeshjeve, Serbia është e treta me 10 në të njëjtin numër sfidash, ndërsa dy ekipeve u mbeten nga dy duele deri në fund./abcnews.al

