Qeveria nuk ka ende një numër përfundimtar të objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, por ka përcaktuar përmes një akti normativ rrugën që do të ndjekë për rimëkëmbjen e zonave të prekura nga termeti. 6 do të jenë kategoritë që sipas qeverisë do të përfitojnë nga projekti i rindërtimit, që tashmë do të drejtohet nga ministri i ri i shtetit, Arben Ahmetaj.
Subjekte përfituese janë individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore.
Institucionet publike që kanë pësuar dëme në ndërtesat apo infrastrukturën publike në pronësi.
Tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilave si pasojë e fatkeqësisë natyrore u është dëmtuar selia e tyre ose çdo vend i ushtrimit të aktivitetit tregtar.
Qeveria ka vendosur vijën e kuqe edhe për disa kategori që nuk do të përfitojnë nga fondi i rindërtimit.
Nuk është subjekt përfitues individi ose familja që ka në pronësi ose posedim të ligjshëm, më shumë se një banesë, në njësinë ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Në rast se të gjitha banesat në pronësi janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, individi ose familja përfiton vetëm për banesën që në datën e fatkeqësisë natyrore përdorej si vendbanim.
Nuk janë përfituese subjektet tregtare në fushën e ndërtimit për ndërtesat ose njësitë brenda një ndërtese në pronësi të tyre, që janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur dëmi ka ardhur si rrjedhojë e gabimeve në projektimin apo ndërtimin.
Por si do të veprojnë qytetarët që morën vulën nga ekspertët se shtëpitë janë të pabanueshme?
Në pikën 10 të nenit të 21 të aktit normativ, qeveria i jep mundësi qytetarëve të banesave të shembura të ndërtojnë vetë ndërtesa në të njëjtin truall, përmes kontraktimit të një zhvilluesi privat, ndërkohë që financimi do të bëhet nga program i rindërtimit. Nëse brenda një periudhe 3 mujore qytetari nuk ka mundur të gjejë një ndërtues për të ngritur objektin e shembur, zhvillimi i pronës do të bëhet nga autoriteti shtetëror ose donatorët, raporton abcnews.al
Akti normativ i qeverisë përcakton edhe procedurën që do të ndiqet me banorët e pallateve që janë shpallur të pabanueshëm nga ekspertët. Përmes financimit nga fondi i rindërtimit apo nga investimet e donatorëve, do të nisë ndërtimi ose rikonstruksioni i ndërtesave të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore, në truallin ekzistues ku ato kanë ekzistuar deri në 26 nëntor 2019.
Qeveria përcakton që banesat e reja që do të ndërtohen dhe që do t’i kalojnë përfituesve nuk duhet të jetë më e madhe se banesa që qytetari kishte në pronësi në objektin e shembur. Por krahas kësaj, qeveria në nenin 24 të i jep të drejtë Entit Kombëtar të Banesave të nis blerjen e banesave nga ndërtuesit në pallate ekzistuese të cilat sot janë të boshatisura.
Qeveria i ka vendosur si kusht Enti Kombëtar të Banesave që vlera e banesës në treg të jetë më e ulët ose e barabartë me koston e ndërtimit. Por në kushtet kur kërkesa e qytetarëve për banesa është i lartë aq sa qeveria nuk ka mundësi të plotësojë kërkesat e tyre atëherë Enti i Banesave mund të negociojë me ndërtuesit edhe për banesa me një çmim më të lartë se vlera e ndërtimit./abcnews.al