Reforma e re, emra të vjetër. Bile të njëjtët emra për dy reforma. Partia Socialiste nuk surprizoi me përbërjen e dy komisioneve të posaçme për zgjedhoren dhe territorialen.
Tek reforma zgjedhore, bashkëkryetar sërish Gjiknuri, në pritje të tangos së përhershme me Oerd Bylykbashin, kurse te Territorialja, u caktua Arbjan Mazniku.
Mazhoranca e mirëpriti dakordësinë e doktor Berishës për uljen e numrit të deputetëve në parlament, bashkë me senatin.
“Dëgjova komentin e kryetarit tuaj për strukturimin e kuvendit dhe propozimin e tij për senat. Le të diskutohen të gjitha këto si pjesë e komisionit të zgjedhores”
Në pritje te uljes ne karrike, Balla i ftoi demokratët të ngrenë dorën. Të enjten në Kuvend.
“Apeli im sot këtu është që edhe kolegët e opozitës ta votojnë nesër rezolutën. Për të treguar se drejtësua nuk është e mirë dhe duhet përshëndetur kur ngre akuza kundër kundërshtarit dhe e keqe kur ngre akuza ndaj kolegut tënd. Mendoj këtu ndahen partia nga Shqipëria.
Por doktori mendon se cfarë është mirë për partinë, është edhe për Shqipërinë. OK për sistemin e dha një ditë më parë, por për projektrezolutën jo. Shkak është vetëm një emër.
“Si t’ja pranojmë ne Altin Troplinin? Ne duhet të qëndrojmë të vendosur për transparencë. Ju them se SPAK është institucioni më i korruptuar në Shqipëri. Dosjet mbyllen me ryshfet aty.”
Kur vjen puna te drejtësia, për doktorin nuk ka rëndësi as partia, as Shqipëria, por shtëpia. Kur nuk janë bërë akoma 40 ditë nga vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja, Sali Berisha iu bashkua asaj që e quajti urrejtje popullore të qytetarëve për drejtësinë, që shpërtheu pas ngjarjes.
“U pa se cfarë urrejtje shpërhteu kur në mënyrën më të dënueshme u ekzekutua në sallën e gjyqit gjykatësi, cfarë urrejtje shpërtheu kundër drejtësisë.”/abcnews.al

