Reshjet intensive të shiut kanë përmirësuar ndjeshëm nivelin e ujit në kaskadën e Drinit. Sipas të dhënave rezulton se reshjet e dendura që përfshinë prej 2 ditesh Veri Lindjen kanë ndikuar në rritjen e rezervës hidrike në liqenin e Fierzës.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, kuota e tij është rritur me të paktën 5 metra duke zhytur sërish nën ujë rrenojat e qytetit të vjetër të Kukësit të cilat si rrallë herë kishin dalë në siperfaqe. Nga të dhënat rezulton se niveli i ujit në Fierzë është mbi 260 metra dhe prurjet mesatare janë më tepër se 700m³/s.
Për shkak të situatës së mirë hidrike gjatë ditëve të fundit korporata elektroenergjitke Shqiptare ka realizuar edhe një proçedurë për shitjen e energjisë elektrike për periudhën 27-28 tetor.Në total Korporata elektroenergjitike ka përfituar mbi 1 milion euro nga shitja e energjisë elektrike.
Vjeshta zakonisht është një ndër stinët më të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike në vend për shkak të reshjeve të shumta të shiut.Megjithatë kohët e fundit fokusi është vendosur në rritjene prodhimit të energjisë elektrike nga dielli.
Gjatë këtij viti energjia e përfituar nga parqet fotovoltaike ka siguruar rreth 10% të totalit të energjisë për të cilën ka nevojë vendi.Kjo pritet të ndikojë në uljen e varësisë së sistemit enegjitik shqiptar nga situata hidrike dhe të ul importet sidomos gjatë verës ku reshjet mungojnë për një kohë të gjatë.

