Në zemër të lagunës, mes gjelbërimit dhe ujërave të qeta të Vlorës, ndodhet një nga mrekullitë më të vizituara të jugut, Manastiri i Zvërnecit.
Në mesin e qindra turistëve që vizitojnë manastirin e Zvërnecit çdo ditë, është ky udhëtar nga Maroku, i cili ndodhet për herë të parë në Shqipëri. Manastiri i Zvërnecit mbetet një prej destinacioneve më të preferuara edhe për europianët. Për vetë pamjet që ofron, manastiri ngjall interesin e turistëve.
Me përshtypjet më të mira për vendin tonë e konkretisht për manastirin e Zvërnecit, turistët thonë se do rikthehen sërish. Edhe grupet turistike që udhëtojnë nëpër Shqipëri e kanë përfshirë Zvërnecin si ndalesë të veçantë në itinerarin e tyre.
Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës. I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.
Ai kishte një bibliotekë kishtare shumë të pasur. Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plackit dhe u dogj. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi për kundërshtarët e sistemit të dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar. Sot ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për tu vizituar.
Sipas të dhënave, Manastiri i Zvërnecit mbetet ndër atraksionet më të kërkuara në qark, me një rritje të ndjeshme të vizitorëve nga viti në vit, duke u kthyer kthehet në simbolin e turizmit kulturor dhe natyror të zonës./abcnews.al

