Në emisionin “Real Story” në ABC News, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, komentoi zhvillimet e fundit mbi projektligjin për barazinë gjinore, pas ndërhyrjeve të bëra nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Sot, më 16 tetor, Kuvendi miratoi ndryshimin e frazës “gjinia gjithpërfshirëse”, duke rikthyer specifikimin binar “burrë dhe grua” në disa nene të ligjit, në kontrast me draftin fillestar që njihte identitetet gjinore përtej konceptit tradicional.
Gajda theksoi se çështja e barazisë gjinore nuk duhet parë vetëm në funksion të termave, por në raport me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Sipas tij, projektligji nuk krijon norma të reja, por rregullon situata ekzistuese në shoqëri, duke synuar një barazi më të plotë mes burrave dhe grave, që shpesh ka munguar në praktikë.
“Këndvështrimi im është ndryshe, në kuptimin që ne këtu flasim për të drejtat e njeriut dhe shpesh të drejtat e njeriut kanë qenë të mohuara për arsye të ndryshme. Shumica kanë tendencën që të mos lejojnë të drejtat për pakicat të çfarëdolloj natyre. Këtu sfida e vërtetë është që këto të drejta që ne kemi a janë për të gjithë apo janë për disa. Unë mendoj që është një problem i madh, sepse ne sot po flasim për të komunitet, kurse nesër do të ketë një pakicë tjetër shoqërore, e cila mund të penalizohet vetëm për faktin që nuk është e përshtatur me shumicën shoqërore me të cilën jeton dhe mund të jetë e kufizuar në të drejtat e saj dhe kjo ka ndodhur në shumë aspekte racore, fetare, ekonomike etj.
Nuk është diçka e re. Ky ligj nuk krijon, ku ligj rregullon, konstaton që ka disa situata faktike që nuk kanë lindur dje apo sot, kanë qenë prej kohësh në Shqipëri dhe synon rregullimin e tyre. Nuk ka bërë ndonjë rregullim të madh, por thjesht ka dhënë një koncept në vetvete lidhur me gjininë për të qenë ajo vetë më tolerante dhe që shoqëria ta kuptojë aspektin gjinor. Për ta lejuar nëse dikush do që ta ndryshojë gjininë dhe për të marrë një gjini të ndryshme, por nuk është se merret shumë me këtë gjë, ose e rregullon shumë këtë gjë.
Aspektet e identitetit gjinor nuk janë të reja, ne kemi ligje që i prekin ato, që shqetësohen për këtë gjë dhe bëjnë mirë. Në këndvështrimin tim, ky ligj në vetvete ka shqetësimin kryesor pabarazinë mes burrave dhe grave. Ky është qëllimi kryesor. Ky ligj bën rregullime shumë të mira për të arritur një barazi reale dhe efektive midis burrave dhe grave, që ka munguar dhe shkon përtej termave”, tha Robert Gajda./abcnews.al

