Goditja dhe parandalimi i pastrimit të parave duke përdoruar metoda special hetimi do të jenë në fokus të stategjisë së hartuar së fundmi.
Plani i veprimit 2026-2028 intensifikon përdorimin e teknologjive të avancuara dhe mjeteve analitike për të monitoruar lëvizjet financiare të dyshimta dhe për të zbuluar shfrytëzimin e sistemeve financiare për aktivitete kriminale.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet ngritjes së kapaciteteve të stafit përmes trajnimeve të specializuara, që do të fuqizojnë aftësinë për hetime të thelluara dhe për ndjekje penale efektive. Për të arritur rezultate të qëndrueshme, strategjia parashikon thellimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe institucionet financiare, duke përfshirë bankat, institucionet e pagesave elektronike dhe entet e tjera financiare, për të përmirësuar mekanizmat e raportimit dhe verifikimit të transaksioneve të dyshimta.
Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Planit të Veprimit 2026-2028 ëshët 55 miliard lekë. Kjo shumë do të përdoret për të financojë masat institucionale, forcimin e strukturave hetimore dhe gjyqësore, trajnimin e personelit, zhvillimin e infrastrukturës teknologjike dhe programet e ripërdorimit social të aseteve.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar, duke intesifikuar operacionet policore, përmirësuar kapacitete hetimore, si dhe duke rritur bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar./abcnews.al

