Në Kroaci janë plotësisht të bindur për të. Arbër Hoxha është titullar tek Dinamo e Zagrebit, dhe nuk është pak të jesh I tillë në skuadrën më të madhe të vendit, e ndoshta dekadat e fundit edhe në Ballkan.
Ylli kuqezi vërtet ka arritur kulmin e formës këtë sezon, ndonëse në kombëtaren shqiptare ende mbetet zgjedhje e dytë.
Trajneri Silvinjo pranoi ta hidhte titullar në sfidën miqësore kundër Jordanisë, pasi e aktivizoi në pjesën e dytë në Serbi.
Hoxhës I mjaftoi minutazhi për golin e shkëlqyer në fitoren 4-2, diçka që e ka mjeshtëri të vetën.
Veprimi I tij është si dikur një Arjen Roben tek Bajerni apo Holanda, duke iu shmangur kundërshtarëve, shpesh duke hyrë në qendër e duke goditur.
Kjo ishte edhe rrjeta e tij e parë me fanelën kuqezi, ndërsa ka luajtur 19 ndeshje.
Këtë sezon ka 3 gola e 3 asistë, nga të cilët shumicën për Dinamon në Kroaci dhe në Europë.
Ka realizuar gola të rëndësishëm e po ashtu shumë të bukur ndaj Hajdukut në derbin e luajtur në Split, si dhe kundër Sllaven Belupos.
Po ashtu, ka krijuar rrjeta për shokët tek Dinamo, në kampionatin vendas dhe në Ligën e Europës.
Arbër Hoxha është sot 27 vjeç e padyshim ka ende shumë vite për të dhënë në karrierë, e ndoshta do ta ketë një vend më të sigurt në kombëtare në të ardhmen./abcnews.al

