LEZHË- Një çift bashkëshortësh është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi dhanë dëshmi të rreme gjatë një procesi gjyqësor në lidhje me vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 1997, në Mirditë.
Të arrestuarit janë Valbona Prenga dhe Agustin Prenga banues në Lezhë, ndërsa akuzohen për veprën penale “Dëshmia e rreme”.
Arrestimi i tyre u bë pasi dje, gjatë një procesi gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, kanë dhënë dëshmi që bien në kontradiktë me dëshmitë e tyre të mëparshme, në lidhje me rrethanat e ngjarjes së ndodhur në vitin 1997, në fshatin Rrasfik, Mirditë, ku vëllai i Valbona Prenga ka vrarë me armë zjarri, motrën dhe bashkëshortin e saj, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Autori i kësaj ngjarjeje po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

