Bajram Jashanica me shumë mundësi do të largohet nga Skënderbeu, edhe pse prej dy vitesh nuk luan për shkak të pezullimit që UEFA i dha për përdorim të substancave të ndaluara. Në shkurt qendërmbrojtësi e përfundon dënimin dhe pritet të rikthehet të luajë.
Kukësi është një nga klubet që dëshiron shërbimet e Jashanicës, sikurse edhe Shkëndija e Tetovës. Mbrojtësi i korçarëve ka edhe propozime të tjera dhe do i duhet të vendosë së shpejti se ku do ta vijojë karrierën.
ABC News mëson se për shërbimet e Jashanicës është futur në garë edhe klubi i Prishtinës, që kërkon të kthehet te titulli kampion. Bardhekaltrit i kanë bërë një ofertë dhe po bëjnë gjithçka ta bindin atë të luajë me ta.
Vetë Jashanica nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rikthimi në Kosovë, ku në të shkuarën ai është aktivizuar te Hysi, para se të provonte eksperiencën e parë në Superiore me Besën e Kavajës. /abcnews.al