“Kokë turku për ta hedhur si ushqim”, Roland Lami: Nuk kemi arritur të ndërtojmë liderin demokratik

schedule22:55 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 22:55 - 17 Dhjetor, 2019

I ftuar në “Provokacija” me Mustafa Nanon, pedagogu, Roland Lami u shpreh se rregullat brenda partisë në Shqipëri injorohen. Lami u ndal te veprimi i liderit anglez të partisë Laburiste, i cili pasi humbi zgjedhjet pas dy ditëve ka bërë një xhiro me biçikletë në Londër. Ai gjithashtu tha se në vendin tonë deri më sot nuk kemi arritur dot të ndërtojmë liderin demokratik.

“Liderët kryesorë tek ne duhet ti thërrasin ndërgjegjes në rast se mendojnë që janë të përjetshëm. Klanet brenda dhe afër liderit që mendojnë se mbijetesa e tyre është falë tij dhe modeli i autoritarizmit është jo vetëm në politikë, biznes, por edhe në familje. E konsiderojnë këtë sjellje si normalitet duke na diferencuar nga modeli i Anglisë”, tha Lami.

Gjithashtu ai theksoi se arketipi i liderit është pothuajse i njëjtë, nuk ka elementë që i diferencojnë.

“Lideri duhet të ketë një ekip me të cilin duhet të furnizohet me ide, të ketë një vizion të vetën. Kemi lider deri diku vizionar. Nëse do të kishte një reagim në grup puna e liderit nuk do ishte kjo që është sot, por kjo kulturë mungon. Të gjithë mendojnë se janë mirë, por kjo na çon drejt prodhimit të liderëve autoritarë dhe jo drejt një lideri demokratik. Kemi liderë politik që ndryshojnë vendin me njeri – tjetrin, por problemet mbeten po të njëjtat. Nuk kemi lider politik që të tregojë kush janë përgjegjësit, të flasin për hetime, mund të ketë një kokë turku për ta hedhur si ushqim dhe për tu analizuar për disa ditë. Nuk kemi një analizë mbi çfarë kemi bërë, kemi një agjendë politike që nuk është gjë tjetër vetëm fillim i fushatës”, tha Lami. /abcnews.al