Vetëm dy ditë kanë mbetur nga stuhia sportive në stadiumin e Leskovac ku Shqipëria luan ndaj Serbisë. Sylvinho tha për ‘Real Story’ se Serbia është një skuadër e fortë dhe me lojtarë me përvojë, por sipas tij duhet të përgatiten gjithmonë për të fituar. Më tej, trajneri tha se është një ndeshje e rëndësishme dhe gjithçka mund të ndodhë.
“Në një fazë eliminatore duhet të luajmë për gjithçka dhe në çdo moment. Do të përpiqem të jem i qetë në përgjigje. Po ashtu, të jem i qartë. Për mua është mirë që ndeshja u afrua. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, kuptohet. Na mbeten edhe 3 ndeshje, dhe këto janë më të rëndësishmet. Në këtë moment, renditja ka pak rëndësi. Ky është një lajm i mirë. Ndaj Serbisë është një ndeshje. Do të luajmë atje 90 minuta, ashtu siç ata erdhën këtu. Ne bëmë atëherë një ndeshje të mirë. E vërtetë që Serbia është një skuadër e fortë teknikisht, lojtarë me shumë përvojë. Fizikisht janë të fuqishëm. Sipas meje, ne duhet të përgatitemi gjithmonë për të fituar. Edhe kur shkon në “Uembli”, duhet të përgatitesh për të fituar. Nëse nuk fiton, të paktën të barazosh. Në radhë të parë, ndeshja përgatitet për të fituar. Me kundërsulm, me zotërim të topit ose me goditje standarde, apo duke bërë zëvendësime gjatë lojës. Kështu përgatitet një ndeshje për t’u fituar. Është një ndeshje e rëndësishme, në të cilën mund të ndodhë gjithçka. Duhet të përgatitem mirë, të shkojmë atje, të luajmë 90 minuta, dhe të provojmë shanset tona. Në këtë ndeshje, siç jua thashë, nuk më shqetëson renditja. Ata janë të fortë. Padyshim, por edhe ne jemi të fortë. Ne e kemi treguar këtë. Duhet vlerësuar fakti që kemi ardhur në këtë moment, duke pasur mundësi për t’u kualifikuar për në Botëror. A mund të kishim arritur në kushte më të mira? Padyshim, nëse do të kishim fituar çdo ndeshje. Kjo nuk është e lehtë, kërkon shumë punë … Ne duhet të bëjmë gjithçka mirë. Ne kemi ardhur në këtë moment duke pasur mundësi për t’u kualifikuar për në Botëror, dhe kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Ata janë të fortë, dhe këtë e dimë. Po ashtu, edhe ne. Nuk ka ndonjë “sekret” për të fituar. Duhet të sulmojmë, duhet të mbrohemi, duhet të luajmë me zemër, me shpirt, duhet të japim 100 për qind të mundësive tona. Kjo është një ndeshje ku ne duhet të bëjmë minimumin e mundshëm të gabimeve. Unë nuk mund t’u kërkoj lojtarëve që të mos gabojnë, sepse kjo nuk është reale. Është një gënjeshtër. Në futboll mund të bësh gjëra të mira, dhe të gabosh, por nëse gabon minimalisht, edhe shanset për të pësuar gol janë minimale. Nga ana tjetër, duhet të provojmë që ta vendosim kundërshtarin në pozitë të vështirë. Nëse ti më thua që ne duhet të sulmojmë apo vetëm duhet të mbrohemi, unë të them se nuk funksionon kështu. Duhet të bëjmë gjithçka. Të mbrohemi dhe të sulmojmë me të gjithë lojtarët. Ne duhet të përgatisim një ndeshje komplete. Nëse nuk përgatitemi për gjithçka, nuk do të kemi sukses. Duhet ta bëjmë gjithçka shumë mirë”.
Trajneri Sylvinho tha ndër të tjera se skuadra jonë është ndryshe nga dy vite më parë dhe se janë një skuadër që marrin më pak gola, të organizuar dhe që mbrohen shumë mirë.
“Për mua, është e sigurt që e përballojnë presionin. Jam shumë i lumtur me të gjithë lojtarët që kemi thirrur që nga fillimi. Që nga Varshava, kur ishte një skuadër e ndryshme, duke arritur tek skuadra e sotme. Pas dy vitesh e gjysmë, apo diçka më shumë, sot kemi një skuadër tjetër. Nuk them dot nëse është më e mirë apo më e keqe, por është e ndryshme. Unë si trajner jam përpjekur që ta përmirësoj ekipin. Jemi një skuadër që merr pak gola. Jemi të organizuar, bëjmë pak ndërhyrje të gabuara, një ekip që mbrohet shumë mirë, dhe pastaj kundërsulmon. Kemi ndryshuar edhe lidhur me zotërimin e topit. Mendoj se duhet të shkojmë përpara me këtë që kemi. Lojtarët tanë janë të aftë, thuajse të gjithë luajnë në elitë. Ata janë mësuar me presionin, me stadiumin, me kundërshtarët e vështirë. Kjo nuk më shqetëson aspak”. / abcnews.al/


