Ministrja e Drejtësisë kërkon hetim disiplinor për kryetarin e Gjykatës së Shkodrës. Nga burimet mësohet se në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ka mbërritur kërkesa për hetim disiplinor për kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Arben Zefi. Kanë qenë denoncimet e disa avokatëve të qytetit të Shkodrës ndaj kryetarit në lidhje me disa shkelje me mos ushtrimin e detyrës së tij, që kanë vënë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë. Nga hetimi i ndërmarrë ka rezultuar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në shkelje të ligjit, nuk ka përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkurtimin e vendimit penal të formës së prerë për dënimin e shtetasit A.D, aktualisht kancelar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të parashikuar nga neni 290/1 i K.Penal. Për pasojë, në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ky shtetas rezulton në mënyrë të paligjshme si i padënuar nga gjykatat penale shqiptare. Ndërsa për kancelarin e kësaj gjykate, Ministrja e Drejtësisë i ka kërkuar Departamentit të Administratës Publike të marrë masat e parashikuara nga ligji, pas konstatimit të faktit se ka bërë deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit./abcnews.al
Ministrja e Drejtësisë kërkon hetim disiplinor për kryetarin e Gjykatës së Shkodrës
schedule15:13 - 18 Janar, 2018
schedule 15:13 - 18 Janar, 2018