Janë fatkeqësitë e pashmangshme të futbollit.
Kjo lojë ka rraskapitje e përplasje, ndaj edhe dëmtimet janë pjesë e saj, e kombëtaren shqiptare këto ditë e kanë goditur tri herë.
Një emër I ri iu shtua listës së atyre që mungonin që më parë, dhe bëhet fjalë për Adrion Pajazitin.
Mesfushori ofensiv që luan për Hajdukun në Kroaci, ka probleme muskulore dhe nuk mund t’i përgjigjet në apel trajnerit Silvinjo për duelin ndaj Serbisë këtë të shtunë në eliminatoret e Kupës së Botës.
Po ashtu, ai nuk do të luajë në miqësoren kundër Jordanisë në 14 tetor në “Arenën Air Albania” në kryeqytet.
Përveç Pajazitit, mungesa që më parë ishin Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla.
Mbrojtësi I qendrës që luan në Serinë A për Torinon u dëmtua në ndeshjen e fundit, ndërsa qendërmbrojtësi që aktivizohet tek Majorka në Spanjë ishte I lënduar disa javë më parë.
Silvinjo padyshim që ka probleme në këtë repart, pasi edhe Adrian Bajrami braktisi Shqipërinë për ta vazhduar karrierën me Zvicrën, e në dispozicion janë vetëm kapiteni Gjimshiti dhe Ajeti.
Ndërkaq, kombëtarja u plotësua vetëm në orët e mbrëmjes së të hënës, pasi mbërritën edhe Asani, Strakosha, Hoxha, Balliu dhe Mihaj.
Stërvitje të veçuar bënë Daku, Ajeti, Uzuni dhe Hysaj, por kjo nuk përbën për momentin shqetësim./abcnews.al

