Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme, 6 tetor, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit. Ku 30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja. Autori kishte vite që ishte në një proces gjyqësor me 31 familje në Shkodër për një çështje pronësie, një pallat në lagjen “Skënderberg”.
Policia ka zbardhu dinamikën dhe ka zgjidhur enigmën se si autori ka futur armën brenda në gjykatë. Në njoftimin e policisë sqarohet se detektorët kanë punuar dhe kanë dhënë dritën e kuqe për armën, por roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, nuk ka kryer kontrollin fizik. Gjithashtu nuk është verifikuar regjistri i gjithë personave që hyjnë dhe dalin në Gjykatën e Apelit.
Të dy personat Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi kanë qëndruar në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas janë futur në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, Elvis Shkambi që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit, i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Njëkohësisht, pas këtij veprimi, Elvis Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të palës kundërshtuese, ku mbetën të plagosur babë e bir.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.
Pas ngjarjes, shtetasi Elvis Shkambi ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën te roja e sigurisë me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori Elvis Shkambi pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.
Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë i 30-vjeçarit Elvis Shkambi./abcnews.al

