Bizneset dhe qytetarët kanë shtuar kursimet në banka gjatë muajit gusht. Mesa duket efektet e pikut të sezonit turistik kanë dhënë efekte në rritjen e depozitave në banka. Po ashtu edhe prurjet e emigrantëve kanë ndikuar në këtë tendencë.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit gusht ishte 671.7 miliardë lekë, ose rreth 6.1 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm
Depozitat me afat në Lekë shënuan rritjen më lartë të këtij viti në muajin korrik. Kursimet në valutë ndërkohë i janë rikthyer rritjes për të dytin muaj radhazi, pas një rënieje në muajin qershor. Normat e ulëta të interesit apo zhvlerësimi i euros nuk po ndikojnë në sjelljen e qytetarëve për t’u larguar nga mbajtja e kursimeve në monedhën evropiane dhe zgjedhjen e depozitave në lekë.
Po ashtu edhe stoku i depozitave në valutë është rritur duke arritur në 8.49 miliardë euro në fund të muajt gusht, me një rritje prej 227 milionë eurosh, ose 2.7% më shumë në raport me muajin e mëparshëm.
Ndërkohë në total, stoku total i depozitave rezultoi 1.44 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 105 miliardë lekësh, ose rreth 8% më shumë./abcnews.al

