“Të gjithë duhet të marrin masa të përfshihen në skemën e re sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, gjë që do ta sanksionojmë edhe në ligj. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por është fjala edhe për sipërmarrjet, njësitë e biznesit që duhet të sigurohen”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Sigurimi i banesave në Shqipëri nga fatkeqësitë natyrore do të të jetë i detyrueshëm. Ndryshimet e fundit klimatike me përmbytje në dimër dhe zjarre në verë e bën të domosdoshme një nismë të tillë për të mos krijuar barrë për buxhetin e shtetit në raste të dëmeve.
Vetëm gjatë kësaj vere në Shqipëri u dogjën me dhjetëra banesa e magazina biznesesh për shkak të zjarrit. Ndërkohë që aktualisht Shqipëria ka gati një draft për sigurimin e banesave nga tërmetet, një nismë kjo e ndërmarrë si domosdoshmëri pas tërmetit shkatërrues ët vitit 2019.Tashmë ky projektligj është në fazën e konsultimeve dhe është hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Për zbatimin e këtij ligji është parashikuar edhe ngritja e Fondit për Tërmetet që do të përcaktojë edhe primin e fondit e sigurimit që do të paguhet nga të siguruarit. Kontrata për sigurimin e detyrueshëm të pronave do të rinovohet çdo vit dhe primi i sigurimit, metodologjia dhe llogaritja do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimit nga Fondi për Tërmetet
Detyrimin për të lidhur një kontratë sigurimi e ka çdo individ, person fizik e juridik, publik e privat qoftë vendas apo i huaj që është pronar apo përdorues i pronës në vend.
Drafti parashikon që primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale do ta financojë shteti. Sigurimi I detyrueshëm do të mbulojë vetëm dëmet material të pronës, duke përjashtuar dëmet trupore, jopasurore, sendet brenda banesës së siguruar apo shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbetjeve nga objekti.
Për rastet kur pronari i banesës së siguruar ndryshon, kontrata e sigurimit të detyrueshëm i kalon pronarit të ri.

