Qeveria gjermane ka nisur konsultimet për disa tema të rëndësishme. Synimi kryesor: Reformat në ekonomi, bashkëveprimi i qeverisë dhe zgjidhja e problemeve të shumta.
Këshillimet dyditore në Villa Borsig në Berlin kanë për synim gjetjen e përgjigjeve për reformat e shumta që e presin vendin në ekonomi por edhe për funksionimin e kabinetit qeveritar.
Qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD ka vendosur në agjendë forcimin e aftësisë së konkurrencës së kompanive gjermane dhe reduktimin e shpejtë të burokracisë. “Disa kompani janë në gjendje të rëndë dhe kanë probleme të mëdha. Kjo është arsyeja pse duhet të arrijmë rezultate shpejt”, paralajmëroi kancelari Friedrich Merz para takimit.
Steffen Bilger, i partisë CDU sheh po ashtu se ka nevojë për veprim: “Bëhet fjalë për hedhjen e themeleve që Gjermania të mbetet një nga kombet kryesore në botë nesër”.
Sipas Karsten Wildberger, ministër i Ministrisë për Çështjet Digjitale dhe Modernizimin e Shtetit, agjenda do të përfshijë rreth 80 masa. Ato përfshijnë, për shembull, një portal të unifikuar për regjistrimin online të makinave dhe një portal raportimi të burokracisë ku qytetarët mund të paraqesin sugjerime konkrete për përmirësim. Ulja e burokracisë duhet të rezultojë edhe me uljen e shpenzimeve. Kostot nga burokracia do të ulen me rreth 25 përqind – për shembull, përmes reduktimit të planifikuar prej tetë përqind të personelit federal.
Megjithatë, ministri është i vetëdijshëm se reduktimi i burokracisë nuk mund të arrihet menjëherë. “Vendi është i ngatërruar në shumë nyje, ekonomia është prekur nga burokracia për shumë vite, le të themi 20 apo 25 vite,” theksoi Wildberger, ndaj ky është një proces që nuk mund të realizohet shpejt.


