Sheshi para Bashkisë Shkodër u mbush me atmosferë festive dhe motive kuqezi, ku u zhvillua edicioni i 18 i “Lojëra Popullore Fest”. Ky aktivitet tradicional mblodhi bashkë përfaqësues nga trevat shqipfolëse, duke sjellë lojëra, muzikë dhe motive kulturore që ruajnë gjallë trashëgiminë brez pas brezi.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e cila përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të traditave. Ajo u shpreh se Shkodra, si qendër e kulturës dhe historisë shqiptare, ka një rol të veçantë në mbështetjen e aktiviteteve që i japin jetë identitetit kombëtar.
“Lojëra Popullore Fest” është tashmë një traditë e cila me mbështetjen e Bashkisë Shkodër synon të sjellë më pranë komunitetet shqipfolëse dhe të përcjellë vlerat e tyre te brezat e rinj, duke e kthyer Shkodrën në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
/abcnews.al/

