Kthimi i nxënësve në shkolla, nisja e kopshteve e çerdheve ka sjell fluks të vizitave të fëmijëve në Qendrat Shëndetësore.
Sipas mjekes pediatre Anila Sevdari, tek të vegjlit po qarkullojnë virozat e stinës, si dhe infeksionet gastroenteritet. Për mjek, numri i vizitave arrin deri në 40 fëmijë, në një ditë, ndërsa gjatë fundjavave numri është më i lartë.
“Më tepër janë shenja të gripit stinor, kemi numër lehtësisht të rritur të fëmijëve, kjo dhe për shkak të nisjes së shkollave. Edhe pse në raste të rralla, kemi gastrointentorite, që vijnë ende nga infeksionet e plazheve e pushimeve verore. Numri i vizitave mund të shkoj 35-40, por fundi i javës sjell më shumë raste të shtuara”, tha ajo.
Teksa kemi hyrë në sezonin e vjeshtës, sipas mjekeve infeksionet që po qarkullojnë prekin rrugët e sipërme respiratore, dhe shfaqen me shenjat klasike si dhimbje koke, dhimbje fyti, apo bllokim të hundëve. Mjekët nuk përjashtojnë as rastet me komplikacione më të rënda, të cilat kane kërkuar trajtim më të specializuar.
“Infeksionet këtë periudhë janë të rrugëve të sipërme, më shumë kanë ardhur me dhimbje fyti, bllokim hundësh dhe dhimbje veshi. Në disa raste ka zgjatur me temperaturë disa ditë, e shoqëruar edhe me dhimbje koke. Por ka kaluar lehtë, pa komplikacione. Ka raste të rralla që pas disa ditësh me këto shenja ka sjell edhe bronkite akute. Që kanë dashur mjekim më të detajuar me antibiotik…..kjo lidhet ngushtë me fillimin e shkollave, por edhe të ndryshimit të temperaturave.”, tha ajo.
Grupmosha nga 1 deri në 6 vjeç, është më e riskuar për tu prekur nga virozat stinore, kjo dhe për shkak të transmetimit më lehtë nga njëri tek tjetri.
“Grupmosha e parashkollorit 1-5-6 vjeç e bëjnë jetën më sociale, plus që nuk kanë kryer vaksinat anti-trup”
Vaksina kundër gripit ka nisur të aplikohet që prej 22 shtatorit në të gjithë vendin. Mjekët pediatër këshillojnë prindërit që mos të neglizhohet marrja e kësaj vaksine për fëmijët e prekur nga sëmundjet kronike, apo që kanë imunitet të dobët.
“Duke u nisur me shtimin e këtyre rasteve, ne shkojmë edhe me këshillimin e vaksinave të gripit. E cila nuk është shumë e shprehur tek fëmijët e vegjël, por, në ato grupmosha që kanë imunitet më të rëndë, dhe sëmundje bashkëshoqëruese si diabeti apo astma bronkiale, këshillojmë bërjen e vaksinës për një imunitet sa më të fortë”
Piku i gripit pritet të arrij në fund të muajit tetor, në fillim të nëntorit, mjekët këshillojnë shmangien e antibiotikëve pa recetë mjeku, një ushqyerje të shëndetshme dhe kujdes të shtuar ndaj higjienës personale, dhe qëndrimi sa më larg ambienteve me shumë njerëz/abcnews.al

