Pas shfaqjes së përsëritur të dronëve në disa aeroporte në Danimarkë, qeveria daneze i quan ato “sulm hibrid”. Vetëm dy ditë më parë u panë dronë në qiellin danez.
Mbi Danimarkë janë parë përsëri dronë mbi aeroporte, (25.09.)- këtë herë, u prekën edhe bazat ushtarake. Hapësira ajrore në Aalborg u mbyll përkohësisht dhe policia raportoi pamje dronësh në katër aeroporte. Dronë janë parë edhe në aeroportet Esbjerg dhe Sönderbirg, si edhe Skrydstrup. Aty janë stacionuar avionë luftarakë, F-16 dhe F-35. Edhe aeroporti në Aalborg përdoret nga ushtria.
Ende nuk dihet qartë, kush fshihet pas dronëve
Shumë detaje janë ende të paqarta. Gjithçka tregon se pas tyre qëndrojnë profesionistë, tha Ministri i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen në një konferencë për shtyp në Kopenhagen këtë mëngjes. Numri i saktë i dronëve nuk dihet ende, as nuk ka pasur ndonjë informacion mbi madhësinë e tyre. “Është ende shumë herët për të thënë se cili është objektivi i dronëve ose kush është pas tyre”, tha një zyrtar policie. Drejtori i Policisë Federale, Thorkild Fogde, tha në një konferencë për shtyp vonë natën se aktiviteti i dronëve në Aalborg ishte disi i ngjashëm me atë në Kopenhagen disa ditë më parë.
Madje u vu re edhe një model i ngjashëm, me dronët të dukshëm dhe që vepronin me dritat e tyre të ndezura. Policia tha se nuk kishte rrezik për pasagjerët në Aeroportin e Aalborgut. Tre fluturime u devijuan në aeroporte të tjera. Një fluturim hyrës dhe dy lidhje dalëse u anuluan.

