Drejtori i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme Reinaldo Pipiria komentoi raportin e fundit që vlerëson se në periudhën janar-qershor të këtij viti ka pasur rritje me 41 për qind të çmimeve të apartamenteve. Pipiria theksoi se ka një trend rritës në çmimin e apartamenteve. Sipas tij, rritja është një shifrore e ndikuar nga zhvlerësimi i euros.
“Raporti i BSH ende nuk është publikuar, ka disa të vërtetat dhe të pavërteta.
Ka një trend rritës të çmimeve që do të thotë se tregu performon në situata optimale. Kemi pasur një ngadalësim vitin e kaluar kur morëm vesh që nuk do të bëhej rivlerësim. Pritet të ketë këto ngadalësime që shkojnë dhe për shitësin dhe blerësin që po presin të kryejnë një transaksion me vlera më të ulëta pas rivlerësimi.
Nuk është e vërtetë që ka një rritje me mbi 41 për qind.
Në raport mungon argumenti që a është përfshirë rivlerësimi i euros, pasi vlerat e pronave janë në euro. Është një rritje një shifrore më e moderuar. Nuk e bazojmë tregun vetëm tek ndërtimet e reja.”
Më tej, drejtori Pipiria komentoi edhe pronat në bregdet të cilat janë epiqendra e investitorëve vitet e fundit, duke përmendur se trendi i çmimeve do të vijojë në rritje pasi ndërtimet janë të reja dhe blerësit janë kryesisht të huaj, pra me kapital më të konsiderueshëm.
“Tregu ka rritje, në optikën tonë janë një shifrore, tendenca e tregut është që do ketë rritje por nuk janë galopante. Bregdeti ka ofertën me produkt të ri, pra lokacionet që zgjidhen nga ndërtime pas viteve 2015 dhe patjetër që është më e shtrenjtë.
Bregdeti do të vijojë të ketë rritje sepse konsumohet nga blerësit e huaj dhe kjo është e kuptueshme me pozicionin që ka Shqipëria dhe me rrugëtimin e saj drejt BE. Sot kemi investime nga Izraeli deri në SHBA.” / abcnews.al /

