Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjykata e Lartë e SHBA-ve do të rishqyrtojë ligjet që kufizojnë fuqinë e Trump për të shkarkuar zyrtarët

schedule09:38 - 23 Shtator, 2025

schedule 09:38 - 23 Shtator, 2025

Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur se Presidenti Donald Trump ka të drejtë të shkarkojë një zyrtare të lartë të Komisionit Federal të Tregtisë. Në një vendim të marrë me shumicë votash, gjyqtarët qëndruan në anën e Trump, duke i lejuar atij të shkarkojë Komisioneren Demokrate Rebecca Slaughter nga posti i saj, ndërsa betejat ligjore vazhdojnë. Gjykata gjithashtu ka rënë dakord të rishikojë një precedent ligjor gati një shekull të vjetër, që mbron agjencitë e pavarura të krijuara nga Kongresi nga ndërhyrja presidenciale.

Gjyqtarja Elena Kagan, në një opinion kundërshtues nga anëtarët liberalë të gjykatës, paralajmëroi se ky vendim i jep presidentit kontroll mbi institucione, që Kongresi i kishte krijuar për të qenë të paanshme. “Kongresi, siç bien të gjithë dakord, ndaloi secilën prej këtyre shkarkimeve nga presidenti,” shkroi Kagan. “Megjithatë shumica, urdhër pas urdhri, i ka dorëzuar presidentit kontroll të plotë mbi të gjitha këto agjenci”.

“Ai tani mund të shkarkojë – sipas shumicës, edhe pse Kongresi tha ndryshe – cilindo anëtar që dëshiron, për çdo arsye ose pa asnjë arsye. Dhe kështu mund të shuajë paanshmërinë dhe pavarësinë e këtyre agjencive”, shtoi ajo.



Vendimi i së hënës nga Gjykata e Lartë gjithashtu konfirmoi se gjyqtarët do të dëgjojnë argumentet në dhjetor, për të rrëzuar vendimin e vitit 1935 të njohur si Humphrey’s Executor, i cili i dha Kongresit të drejtën të krijojë agjenci të pavarura të mbrojtura nga ndërhyrja politike.

Në atë vendim, gjykata vendosi në favor të një komisioneri tjetër të Komisionit Federal të Tregtisë, që ishte shkarkuar nga Presidenti Franklin D. Roosevelt. Gjykata atëherë vendosi se komisionerët mund të hiqeshin vetëm për sjellje të keqe ose mospërmbushje të detyrave. Komisioni Federal i Tregtisë, që mbron konsumatorët, zakonisht përbëhet nga pesë komisionerë – tre nga partia e presidentit dhe dy nga partia kundërshtare.

Rebecca Slaughter dhe Alvaro Bedoya, dy anëtarë demokratë të Komisionit Federal të Tregtisë, u shkarkuan nga Trump në mars. Një gjykatës federal vendosi në korrik në favor të Slaughter, duke e shpallur shkarkimin e saj “të paligjshëm”. Bedoya më vonë dha dorëheqjen, por Slaughter vazhdoi betejën ligjore.

Më herët këtë muaj, Gjykata e Lartë lëshoi një urdhër të përkohshëm që i lejoi Trump-it të vazhdojë me shkarkimin, ndërsa shqyrtonte çështjen – gjë që tashmë është konfirmuar me vendimin e së hënës. Ndërkohë, gjykata po shqyrton gjithashtu kërkesën e administratës Trump për të shkarkuar Lisa Cook nga posti i saj si guvernatore e Rezervës Federale.

Cook u shkarkua në gusht, pasi administrata e akuzoi për mashtrim me hipotekën. Guvernatorja i ka mohuar akuzat dhe një gjykatë federale vendosi në favor të saj, duke deklaruar se presidenti nuk kishte të drejtë ta shkarkonte.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!