Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 11 majit bëri betimin në Presidencë, në mandatin e katër të qeverisjes. Në daljen e parë publike pas emërimit në postin e ministres, zonja Delina Ibrahimaj analizoi planprojektet në sferën ekonomike, ku fokus të rëndësishëm do të ketë edhe paga minimale që prej vitit të ardhshëm. Ibrahimaj tha se bizneset janë të gatshme të vendosin pagën minimale 500 euro për punonjësit e tyre dhe se shteti po i mbështet duke mos i taksuar punëdhënësit për 18 muajt e ardhshëm.
“Që nga 2013 kemi ndjekur një politikë të rritjes së pagës minimale në intervale jo vjetore, por në bazë të gadishmërisë së tregut. Është e vetmja politikë që kemi në dorë të bëjmë, është një vendim i rëndësishëm rritja e pagës minimale sepse prek shumë punonjës dhe biznese.
Përqindja e indvidëve që marrin pagë minimale është reduktuar nga viti në viti, kjo përqindje është përgjysmuar. Ndaj dhe në takimet dhe sondazhet ,një pjesë e madhe e bizneseve që kanë fuqinë punëtore ku kostoja e pagave zë shpenzimet më të mëdha, janë duke operuar me pagë minimale 500 euro. Kemi vendosur ta bëjmë detyruese për bizneset sepse bizneset janë gati dhe nga ana tjetër duhet të sigurohemi që burimet njerëzore paguhen në masën e duhur. Përmes kësaj nisme adresojmë të dyja problematikat duke bërë që punonjësit të marrin atë që duhet të marrin dhe për 18 muajt e ardhshëm nuk do të taksohet për punëdhënësit.
Është e vështirë të marrësh vendime të tilla, por nëse shohim raportin mes rritjes së pagës minimale dhe mesatare ndër vite janë shumë të përafërta. Pra kemi marrë vendimin duke parë raportet dhe 500 euro është e përballueshme për bizneset.” / abcnews.al /

