Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho rrëfen në Pas Mesnatë jetën para dhe pas kuintave. Në një rrëfim shpirti aristja tregon se si i mposhti vështirësitë për të jetësuar ëndrrën.
“Pasioni im është më i madh se paragjykimi. Ne jemi një popull shumë paragjykues, flas për vitet 1990 dhe sa ishin hapur rrugët, secili donte të vraponte i pari, me të drejtë. Secili ka atë udhëtimin e vet, ku ishte rrugëtimi im, dhe tani unë buzëqesh me atë gjë, dhe ndoshta më duhej ajo lloj lufte më ka bërë më të fortë. Kam kuptuar më tepër gjëra dhe kur vij këtu, vi me atë dashurinë, duke ditur edhe disa gjëra që i kam kaluar edhe vetë dhe me këtë frymë kthehem në Shqipëri, gjithmonë dhe dua të jap eksperiencën time në mënyrë të pakushtëzuar me një dashur edhe them pa ekzagjeruar kaq të madhe, se e kam provuar vetë cdo të thotë kur ke ëndrra dëshira dhe nuk sheh një dritare. Kjo është në këtë moment prioriteti im, të përdor karrierën time, eksperiencën time, rrugëtimi që unë kam bërë dhe pse jo nëse do frymëzoja apo ndihmoja dikë me shembullin tim, them ia vlejtën edhe ato rrëzimet, pakënaqësitë, të gjitha.” shprehet ajo.
Ndër të tjera, sopranoja Jaho rrëfen bisedat me të ëmën e ndjerë, pasionin e përbashkët për muzikën, si edhe pengun e saj për të.
“Më vjen keq sepse nuk më ka parë asnjëherë në skenë, dhe kjo më prek shumë. Më prek shumë se të gjithë e duam aprovimin e prindërve, por nuk arriti dot. Më kishte dhënë fjalën që kur të këndosh ‘Madama Butterfly’ do vi të të shoh. Isha shumë e re, mamin e humba të re shumë dhe të këndosh ‘Madama Butterfly’ do një eksperiencë në skenë, e kam kënduar një vit pas vdekjes së nënës, ishte opera e fundit që pa babai para se të bashkohej edhe ai me nënën time. Dhe e mendoj këtë gjë sa herë jam në skenë.” thotë ajo e përlotur, ndërsa shton se donin prindërit shumë të shikonin këtu ku jam sot. /abcnews.al

