Uniforma ushtarake, antiplumbë, karikatorë të armeve AK-47 me municion si dhe mjete te tjera ushtarake janë gjetur sot në Zveçan.
Lajmi eshte bere i ditur nga policia e Kosoves.
“Njësia e hetimeve e Stacionit Policor Zveçan pas kontrollit ne Veri te Kosoves ka gjetur dy thasë me uniforma, antiplumbë, 5 karikatorë të armeve AK-47 me municion dhe paisje tjera ushtarake. Mjetet e dyshimta jane konfiskuar”
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla tha se pajisje ushtarake dhe municionet jane gjetur në pronën e njërit prej dhjetëra të akuzuarve për sulmin e armatosur kundër policisë në fshatin Banjskë në veri të vendit Nemanja Radivojeviçit, i njohur me nofkën “Gandi”.
“Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”, shkroi Sveçla.
Më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

