Partia Demokratike kundërshton propozimin e kryeministrit Rama për të shtyrë me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Selia blu përmes një reagimi zyrtar akuzoi kryeministrin Rama se po mban peng qytetarët e dëmtuar nga tërmeti për ta përdorur fatkeqësinë kombëtare për show mediatik.
Propozimi i Edi Ramës që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjasë deri në Mars 2020 nënkupton që qytetarët do të mbahen peng dhe deri atëherë Qeveria nuk do t’i ofrojë asnjë zgjidhje. Qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, kanë nevojë urgjente për zgjidhje. Për Partinë Demokratike është e rëndësishme që qytetarët të qartësohen sa më parë, që Qeveria të prezantojë menjëherë masat për mënjanimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, që Qeveria të mos shtyjë zgjidhjen e situatës, por të planifikojë fondet e mjaftueshme financiare për t’i dhënë zgjidhje qytetarëve. Kjo duhet të bëhet tani, pa asnjë shtyrje, pa asnjë zgjatje.
Për demokratët prapa vendimit të Ramës fshihet vendimi i tij për të fshehur krizën politike.
Duke shtyrë me 3 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore, Edi Rama kërkon të fshehë krizën e rëndë politike në vend, duke keqpërdorur krizën pas tërmetit, të shkaktuar, në një masë të madhe, nga korrupsioni shtetëror dhe paaftësia për të menaxhuar situatën. Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, përsa kohë vendi është në një situatë të tillë.
Në sinkron me demokratët ishte edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila e konsideroi shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme si shmangie të përgjegjësisë.
“Kryeministri kërkon për të mbuluar në mënyrë të vazhdueshmë fatkeqësinë e tërmetit për ta kaluar në një situatë tjetër për të mbyllur gojën e mediave dhe për të qëndruar sa më larg zgjidhjes së krizës politike në të cilën gjendet sot Shqipëria”, u shpreh Kryemadhi.
Opozita është e bindur se zgjatja e fatkeqësisë natyrore nuk është e justifikuar, por po përdoret për qëllime personale nga kryeministri Rama./abcnews.al