BRUKSEL– Ministrja e Çështjeve Europiane, e Mbretërisë së Danimarkës, Marie Bjerre u shpreh se procesi i zgjerimit të unionit duhet të jetë në fokus të Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se vendet kandidate duhet të vijojnë me reformat e kërkuara.
Ajo theksoi se Shqipëria ka arritur progres të dukshëm në reforma dhe meritat e saj duhet të shpërblehen nga Bashkimi Evropian.
“Duhet të ecim para me zgjerimin. Konferenca e sotme, dëshmoi se zgjerimi po ecën përpara dhe tregoi se reformat vërtet sjellin rezultate konkrete. Shqipëria ka bërë reforma në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me politikat e BE.
Ju po jepni rezultate dhe këtu duhet t’u njihen. Danimarka, do ta çojë përpara zgjerimin. Vendet kandidate të vijojnë me reformat dhe përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit. Shqipëri, ju po bëni këtë, vazhdoni me punën tuaj.”, tha ajo.
Shqipëria hapi sot 4 kapituj të rinj, duke e çuar në 28 numrin e kapitujve të hapur në procesin e negociatave me BE.
Grupkapitulli 4 përfshin fusha kyçe si tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër, ndërlidhja e qëndrueshme e transportit, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe prioriteteve strategjike të BE-së/ abcnews.al

