Një vit pa artistin Gjergj Sulioti, zëri i 30 roleve në operave, por sot duket i lënë në harresë. Në një homazh për tenorin e njohur, nipi i tij Aleksandër Sulioti, flet në studion e ‘Pas Mesnatë’ për jetën e tij, pasionin për muzikën, si edhe pengjet me të cilat u largua nga kjo botë.
“Sigurisht që kemi detyrime edhe unë si nip edhe familja Sulioti, por detyrime më të mëdha kanë edhe institucionet. Sepse janë persona që i kanë dedikuar me vetëmohim një periudhe shumë të gjatë të jetës së tyre artit. Kanë qenë njerëz të vetëmohimit të plotë sepse e kam thënë, brezi para Gjergjit pati mundësinë të shkojë të studiojë performojë jashtë shtetit, ndërsa ky brez është brezi më i djegur dhe më i humbur i historisë së artit shqiptar, dhe kjo në fakt është për të gjitha fushat e artit jo vetëm në muzikë.” rrëfen ai, ndërsa shton se është duke shkruar tashmë një historik të brezit të humbur .
“Kam dy vite që kam filluar të shkruaj një historik, me një pjesë të madhe të artistëve kam marr kontakt kur kanë qenë gjallë sic është Petrika Rambeci, ose edhe me artistë të tjerë kolegë të dajës tim që unë i njoh prej vitesh dhe ato më mbajnë mend që fëmijë, dhe i takoj sa herë vi në Tiranë si Shqipe Zani ose Shqipe Mingomatën dhe shumë artistë të tjerë me të cilët ruaj enden kontakte.” thotë ai.
Aleksandri tregon se përcjelljen e fundit dajës së tij ia dhanë me muzikë, pikërisht me këngën ‘Mësuesi i parë’ me të cilin i dhuroi edhe çmimin e parë.
“E ka kërkuar vetë, thoshte gjithmonë që kur të largohem nuk dua të trishtoheni. Nuk kishte frikë nga vdekja. Dhe Jorgjeta Lalaze dhe Solena Alla kanë kënduar ‘mësuesin e parë’ në momentin që zbriste arkivoli në tokë”. rrëfen ai.

