Presidenti argjentinas Javier Milei pësoi dje një humbje të madhe në zgjedhjet kyçe provinciale të Buenos Airesit, të cilat shihen si një provë për rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet legjislative muajin e ardhshëm.
Qeveria aktuale argjentinase, e udhëhequr nga ultraliberalisti Javier Milei, ka regjistruar humbjen më të madhe që nga marrja e detyrës.
Qytetarët votuan dje në zgjedhjet provinciale të Buenos Aires, ku banon rreth 40% e popullsisë së vendit.
Partia e Milei, “La Libertad Avanza”, mori vetëm 33,8% të votave, ndërsa kandidatë të lëvizjes peroniste fituan me 47%.
Humbja vjen në një moment të vështirë për qeverinë, e goditur nga skandali i korrupsionit që përfshin motrën e presidentit, Karina Milei.
Sipas një audioje të shpërndarë së fundmi, Karina Milei dhe politikani Eduardo Menem dyshohet se kërkonin ryshfete për kontrata shtetërore të blerjes së medikamenteve për personat me aftësi të kufizuara.
Javier Milei e ka mbrojtur motrën dhe ka larguar nga detyra ish-drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Aftësisë, Dario Spagnuolo, por skandali ka tronditur rëndë bazën elektorale të partisë.
Kjo humbje e zbeh imazhin e Milei, i cili e ka ndërtuar karrierën mbi kritikën ndaj korrupsionit të qeverive peroniste dhe premisën për të nxjerrë Argjentinën nga kriza ekonomike.
Pas rezultatit negativ, pritet një reagim i ashpër i tregjeve, ndërsa ekipi ekonomik i qeverisë përballet me vështirësi për të ruajtur qëndrueshmërinë e pesos kundrejt dollarit.
Ndërkohë, ish-presidentja dhe liderja e krahut më radikal të peronistëve, Cristina Kirchner, festoi fitoren e saj, ndërsa paralajmëroi fitore edhe në zgjedhjet e ardhshme të 26 tetorit të Senatit dhe parlamentit.

