Berisha la pas stilin casual të verës, për ta nisur 1 shtatorin me kollare dhe këmishë të rregullt, por me mendje tek rrëmuja e radhës.
Ai po pret limitin e afatit, që të ankimojë certifikimin e rezultatit të 11 majit, për ta çuar sërish në Kolëgj Zgjedhor.
“Çdo vendim i atij që quhet Kolegj Zgjedhor ka qenë kundër opozitës. Megjithatë, thjesht dhe strikt për procedurë, ne kemi paraqitur rastet në Kolegj, të bindur se ai do i qëndrojë me besnikëri të madhe partisë shtet.”
Vetë pranon se ankesa e tij do të rrëzohet. Por doktori me këtë veprim rrezikon ose shtyn nisjen e sezonit të ri parlamentar.
Duke mbajtur peng dekretin e Presidentit për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve dhe më tej edhe thirrjen e seancës së parë parlamentar, derisa Kolegji të marrë kohën për vendimin.
Megjithatë, Kolegji ka 10 ditë kohë për ta shqyrtuar nga momenti i depozitimit të ankimimit dhe më pas për ta zbardhur. Me shpalljen e vendimit, Presidenti Begaj ka të drejtë të dekretojë menjëherë rezultatin. Parlamenti ka afat të konstituohet nga data 10 deri në 20 shtator. Pra, përpjekja e doktorit mund të përfundojë edhe në një furtunë në gotë. Keto ditë do të therrasë edhe forumet e PD për të rregulluar rrëmujën që vetë ka krijuar pas humbjes së 11 majit, por sigurisht doktori rrëmujën e sheh aty ku ska gjë në dorë, tek krahu tjetër.
“Priten përleshje të mëdha midis tyre, kush të marrë Ministrin e Brendshëm. Troplinët me Agasin janë për Vlora Hysenin. E keni marrë vesh besoj. Të tjerë janë për atë Dyrmishin. Ata e lanë Arkend Ballën dhe duan Vlorën tani. Këta të Elbasanit nuk heqin dorë nga Taulanti. Tani, betejat po zhvillohen midis klaneve, karteleve të drogës. Mendoj se këto i interesojnë popullit më shumë. Prandaj dhe është detyrë që të ua themi.”
Në PD, vetëm një gjë duket e qartë. Ndarja e punëve. Berisha, i vetmi qe flet për Sorosin.
“Gjithçka për desorosizimin e këtij vendi. Edi Rama hesht si fije varri…. Si fije bari, si heshtje varri. E garantoj se PD do beje gjithcka”
Kurse lajmet për non gratën, i ka vetëm Belo.
“Për momentin është në fuqi, por kam 4 vite që e them, non grata – do të hiqet”
Pra, ka ende shpresë.

