Ishin më të mirët në fushë, edhe pse patën fat të ndryshëm. Luka Doncic dhe Nikola Jokic shënuan që të dy nga 39 pikë, por Sllovenia humbi e Serbia fitoi.
Superylli i Lejkërsave ishte protagonist i madh ndërsa skuadra ballkanase sfidoi Francën, njërën nga pretendentët kryesore për titull në Kampionatin Europian të basketbollit për meshkuj.
Ai iu afrua tripëll dabëllit me 39 pikë, 9 asistë e 8 topa në tabela, përfshi edhe katër gjuajtje të sakta për tri pikë.
Doncic bëri shumë, dhe kaloi nivelin e 1 000 pikëve për kombëtaren, por Franca pati më shumë potencial dhe u shkëput në fund duke triumfuar 105-93.
Jokiç ndërkaq duhej të zëvendësonte kapitenin e dëmtuar Bogdanoviç, ndërsa përballë ishte Letonia vendase, me mbështetjen e mbi 11 000 tifozëve në Arenë, si dhe me Kristaps Porzingisin shumë në formë.
Basketbollisti I Denverit pati 39 pikë, duke thyer rekordin për më shumë pikë në kombëtaren serbe në një ndeshje, rekord që e mbante vetë.
Tridhjetëvjeçari shtoi edhe 10 topa në tabela, 4 asistë e 3 vjedhje topi, dhe Serbia fitoi 84-80, pra me rezultat të ngushtë, edhe pse kryesoi gjatë gjithë kohës, e tani ka tri fitore në tri ndeshje, po aq sa edhe Franca.
Dy yje të tjerë që shkëlqyen ishin Lauri Markanen dhe Alperen Shengyn. Protagonisti I madh I dha Finlandës fitoren e tretë në tri ndeshje, duke mundur thellë Malin e Zi, 85-65.
Markanen shënoi 26 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 3 asistë. Turqia, nga ana tjetër, shkatërroi Portugalinë 95-54, duke dërguar një mesazh të fortë për të gjithë pretendentët e Eurobasketit.
Alperem Shengyn ishte më I miri në fushë me 20 pikë, 7 topa në tabela e 5 asistë, edhe pse luajti vetëm 21 minuta, e duke pasur një saktësi prej gati 70 për qind në gjuajtjet nga loja. Turqia gjithashtu është një nga skuadrat me tri fitore në tri ndeshje në Europian deri tani.

