KATEGORIA E PARË/ Besëlidhja thyen Kastriotin, Oriku feston pas katër javësh

schedule14:58 - 15 Dhjetor, 2019

schedule 14:58 - 15 Dhjetor, 2019

Besëlidhja ia ka dalë të mposhtë skuadrën e Kastriotit me rezultatin minimal 1-0 dhe e ka ngushtuar me tre pikë diferencën me krutanët, që kryesojnë kampionatin pas 11 javësh kampionat. Ndeshja u vendos nga Arsen Hajdari, i cili realizoi në minutën e 82-të.

Lezhjanët luajtën për gati 30 minuta me një lojtar më shumë, pasi portieri Selaci i Kastriotit u ndëshkua me karton të kuq. Shkodrani Hajdari shënoi dhe tashmë Besëlidhja futet fuqishëm në garë për vendin e parë në klasifikim.

GRUPI B – Oriku është rikthyer të fitojë, pas katër javësh ku kishte marrë vetëm dy barazime. Skuadra e drejtuar nga Eqerem Memushi ka triumfuar me rezultatin 3-1 kundër skuadrës së Devollit. Goli i parë i takimit u shënua nga Kongjoni tre minuta nga fundi i pjesës së parë dhe Oriku në epërsi iu drejtua i qetë dhomave të zhveshjes.

Vlonjatët ishin më të lirshëm më pas dhe Kuçi e Qejvani me penallti shënuan edhe dy herë të tjera në harkun kohor të pesë minutave, në minutat 62 dhe 65. Miqtë nga Bilishti shënuan golin e nderit në fund, me Rapon, por festa ishte për Orikun. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!